Kur dukej se gjithçka po shkonte mirë me Kukësin dhe pas optimizmit që shfaqi pas ndeshjes ndaj Valetas në Ligën e Kampionëve, trajneri austriak Peter Pakult, duket se ka ardhur edhe një moment dramatik te skuadra nga Verilindja e Shqipërisë.
Sipas “Sport Ekspres”, presidenti i klubit, Safet Gjici ka shkarkuar nga puna trajnerin austriak Pakult, duke qenë se ka mbetur shumë i zhgënjyer nga rezultati i ndeshjes së mbrëmshme, ku Kukësi barazoi 0-0 përballë maltezëve të Valetës.
“Sport Ekspres”, raporton gjithashtu se ende nuk është marrë një vendim zyrtar për këtë çështje, duke qenë se edhe shkarkimi ka ardhur në momente nervash, ndërkohë që drejtori sportiv Nderim Nexhipi do të mundohet që të qetësojë situatën dhe të qartësojë të ardhmen e trajnerit dhe të skuadrës, para një ndeshjeje aq të rëndësishme përballë Valetës të martën.