Pasi gjatë ditës së djeshme prezantoi mbrojtësin De Vraj, sot drejtuesit e Interit prezantuan sulmuesin argjentinas, Lautaro Martinez, i cili në “Xhuzepe Meaca” vjen nga rradhët e Rasing Klub.
Ai te “zikaltërit” do të bartë veshur fanellën me numër 10-të, ndërsa para gazetarëve për herë të parë foli edhe si futbollist i Interit.
“Gjithçka po shkon shumë mirë që nga mbërritja ime këtu. Shokët e skuadrës më kanë pritur në mënyrë të shkëlqyer. Po punoj me një grup fantastik futbollistësh, me një trajner shumë të mirë dhe me shumë impenjim. Për mua janë interesuar edhe disa klube të tjera por që kur erdhi oferta e Interit nuk u mendova dy herë dhe vendosa ta pranoja menjëherë” – tha fillimisht Martinez.
Ai në vazhdi tregoi edhe arsyen dhe shkaktarin që kishte bërë që të zgjedh Interin, edhe përkundër disa ofertave që kishte pasur në adresë të tij.
“Sigurisht i shtyrë edhe nga Diego Milito që është pjesë e stafit drejtues të Rasing Klub i cili më ka folur për emrin dhe rëndësinë e madhe që ka Interi si klub. Që i vogël jam frymëzuar nga Radamel Falkao më pëlqenin lëvizjet e tij në fushë dhe mbi të gjithë stili i lojës” – përfundoi Martinez.
Talenti argjentinas është futbollisti i 5-të që përforcon rradhët e 18 herë kampionëve të Italisë gjatë këtij afati kalimtarë të verës, pas Stefan De Vraj, Raxha Naingolan, Kvadvo Asamoah dhe Mateo Politano.