A do të jetë e ardhmja e portierit brazilian, Alison në Premierligë? Portieri brazilian, pavarësisht nga një marrëveshje e përgjithshme, e arritur tashmë me Real Madridin, në fund mund të pranonte ofertën e pasur të Liverpullit.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, skuadra nga “Enfilld Roud” ka vendosur të thyejë vonesat dhe është e gatshme për të vënë në pjatën e Romës 60 milionë euro, plus 5 milionë të tjera bonuse. Pra, klubi anglez është afruar shumë me kërkesën prej 70 milionë eurove, për sa “verdhekuqtë” janë gati për ta dorëzuar portierin e tyre.
Për të bindur Alison që të zgjedhë Liverpullin, Jurgen Klop do t’i ofrojë brazilianit një kontratë 5-vjeçare, me pagë 6 milionë euro neto në sezon, një shifër shumë më e lartë se ajo e vënë në pjatë nga Real Madridi.
Ndjenja është që, nëse shifrat konfirmohen, transferimi i Alison te nënkampionët e Europës është vetëm një çështje kohe dhe në atë moment Roma do të duhet të kërkojë një portier tjetër. Në këtë kuptim, qëllimi numër një i verdhekuqve mbetet Areola i PSZH-së, ndërsa alternativa e parë përfaqësohet nga Sirigu, i cili, megjithatë, sapo ka rinovuar kontratën me Torinon.