Kroacia do të jetë kundërshtari i Francës në finalen e madhe të Kampionatit Botëror, “Rusi 2018”, pasi sonte në gjysmëfinalen e dytë eliminoi Anglinë me rezultatin 2:1, edhe atë pas vazhdimeve, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me rezultatin 1:1, njofton “infOSport.mk”.
Është ky suksesi më i madh në historinë e Kroacisë, ndërsa në finalen e madhe me siguri se do të kërkojnë hakmarrjen ndaj Francës, për atë eliminim në gjysmëfinalen e Botërorit të vitit 1998, kur Franca për herë të fundit ishet shpallur kampione e Botës.
Trippier goal (0-1) Croatia vs England – World Cup 2018 by footbie.com
Ndryshe ndeshja nuk paralajmëroi një epilog të këtillë, pasi ishin anglezët që vetëm pas 5 minutave lojë avansuan me golin e Tripier, i cili në mënyrë perfekte ekzekutoi goditjen e dënimit.
Pas epërsisë së hershme të anglezëve, Kroacia deri te barazimi erdhi falë golit të shënuar nga Ivan Perishiç në minutën e 68-të, kur mjaft mirë reagoi në zonën kundërshtare dhe me kokë shënoi për 1:1, pas harkimit të Sime Vrshaljkos nga e djathta.
Po i njëjti futbollist, Ivan Perishiç, vetëm pak minuta më pas ishte i pafat, kur me të majtën e tij goditi shtyllën, ndërsa në vazhdim të aksionit, Ante Rebiç nuk u gjind më së miri para portierit anglez.
Pasi ndeshja u mbyll me barazimin 1:1 për gjatë 90-të minutave lojë, skuadrat iu drejtuan vazhdimeve dy herë nga 15 minuta.
15 minutëshi i parë nuk solli asnjë gol, mirëpo ishte një rast i Manxhukiç fare në fund, që paralajmëroi golin e tij në 15 minutëshin e dytë, më saktësisht në minutën e 109-të, kur nga brendia e zonës me të majtën e tij, edhe për herë të dytë mposhti portierin anglez, Pikeford.
Kroacia në këtë mënyrë do të luaj në finalen e madhe të 15 korrikut në “Luzhniki” ndaj Francës, teksa Anglia një ditë më herët do të luaj në finalen e vogël për vendin e tretë përballë Belgjikës.