Izair Emini emrin e tij e ka shkruar në historikun e skuadrës së Shkëndijës. Mesfushori ofenziv i “kuqezinjëve” sonte ndaj TNS-së shënoi golin e parë për Shkëndijën në kuadër të kompeticionit më të rëndësishëm europian, Ligës së Kampionëve Europian.
Rikujtojmë kjo është hera e dytë që Shkëndija luan në këtë kompeticion, pas atij në vitin 2011-të, ku për fat të keq brenda 180 minutave lojë nuk arriti që të shënojë asnjë gol përballë Partizanit të Beogradit.
Në ndeshjen e zhvilluar në transfertë Shkëndija kishte pësuar disfatë me rezultatin 0:4, teksa ndeshja në Shkup ishte mbyllur me rezultatin e fillimit 0:0.
Kësisoj emri i Izair Eminit do të regjistrohet në librin e skuadrës tetovare, si golashënuesi i parë në ndeshjet e Ligës së Kampionëve Europian.
Ndryshe goli i Eminit i shënuar në minutën e 14-të, vetëm se paralajmëroi fitoren e thellë të Shkëndijës dhe shoun e Besart Ibraimit, i cili me 4 golat e tij në fund i mundësoi Shkëndijës për të shënuar një fitore të thellë 5:0 ndaj skuadrës së The Nju Seints nga Uellsi në ndeshjen e parë eliminatore.
Foto: gol.mk