Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se ka qenë tifoz me Rusinë në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës “Rusi 2018”, në të cilën ndeshje nikoqirët e këtij kampionati u ndeshën me Kroacinë, skuadrën e vetme që po prezanton Ballkanin në këtë event të rëndësishëm futbollistik deri më tani.
“Disa më kanë kritikuar, por është një e drejtë e gjithsecilit të jetë tifoz me një skuadër. Që në momentin që u eliminua Serbia unë kam qenë tifoz me Rusinë, kjo ndodhi edhe ndaj Kroacisë. Shpresoja që gjatë penalltive të fitonin ata”, tha Vuçiç.
Edhe përkundër dëshirës së Vuçiç, në fund ishte Kroacia, ajo që fitoi ndeshjen përmes ruletit të penaltive, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me rezultatin e barabartë 1:1, ndërsa i barabartë, mirëpo me rezultatin 2:2 ishte edhe gjatë kohës së vazhdimeve dy herë nga 15 minuta.
Kroacia në gjysmëfinale do të përballet me Anglinë, ndeshje kjo që në program është me datë 11 korrik, teksa një ditë më herët në program është ndeshja midis Belgjikës dhe Francës.