FC Shkupi të enjten me 12 korrik do të zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të fazës së parë eliminatore të Liga Europa, ku për kundërshtarë do të ketë skuadrën e njohur skoceze të Gllazgou Renxhers, njofton “infOSport.mk”.
Do të jetë kjo hera e parë pas plotë 14 viteve që skuadra nga Çairi do të garojë në Europë, ndërsa Muarem Muarem beson se do të kenë një paraqitje të denjtë, edhe përkundër emrit të madh të kundërshtarit.
“Ata kanë një histori shumë të fortë, por si ekip nuk e di se si janë tani, pasi që e di se disa vite në të kaluarën ishin edhe në Divizionet më të ulëta, mirëpo e di se edhe ata kanë një ekip të ri. Ne si ekip nuk kemi se çka të humbim, do të shkojmë atje të luajmë futboll dhe do të provojmë të kalojmë më tej. Thjesht nuk shkojmë për të humbur, shkojmë për rezultat të mirë”, shprehet Muaremi.
Skuadra e FC Shkupit në stadiumin e saj në Çair do të vazhdojë stërvitjet me nga dy seanca në ditë deri më 10 korrik, pas së cilës ekspedita e skuadrës shkupjane do të bëhet gati për udhëtimin drejt Glazgouit, për sfidën e parë të Liga Europa, ndeshje kjo që zhvillohet të enjten që vjen (12 korrik) në stadiumin “Ajbroks” me fillim në ora 20:45.