Sileksi gjatë ditës së sotme prezantoi edhe përforcimin e 11-të në këtë fillim merkatoje. Futbollisti i rradhës që përforcoi skuadrën nga Kratova është kamerunasi, Luis Esenzhe Elumu Parfaite, i cili te skuadra nga Kratova vjen si agjent i lirë, teksa meritat më të mëdha i ka menaxheri shqiptarë nga Kërçova, Blerim Sadiku, raporton “infOSport.mk”.
Sadiku në një bisedë me ne shpalosi edhe kohëzgjatjen e kontratës, ndërsa gjithashtu edhe skuadrat tjera që ishin në garë për shërbimet e kamerunasit 28-vjeçar, i cili pjesën më të madhe të karrierës së tij e kishte kaluar në Itali.
“Bëhet fjalë për një futbollistë me mjaft eksperiencë. Shpresojmë të gjejë veten te Sileksi dhe të ndihmojë këtë skuadër në synimet që kanë gjatë sezonit të ri futbollistik në Maqedoni. Zhikica është një trajner i mirë, me të cilin shpresoj se do të ketë një sezon të shkëlqyeshëm dhe se përmes Sileksit do ketë mundësinë të bëjë ndonjë transferim edhe më të bujshëm. Ndryshe mund të them se për shërbimet e tij interesoheshin edhe dy skuadrat greke Ergotelis dhe Drames, si dhe disa skuadra nga liga e dytë dhe e tretë franceze” – tha enkas për “infOSport.mk” menaxheri nga Kërçova, Blerim Sadiku.
Luis Esenzhe Elumu Parfaite i cili së fundmi luante në kampionatin tunizian me Sileksin ka nënshkruar kontratë dy vjeçare, ndërsa bëhet futbollisti i dytë pas Emanuel Mbellas që vjen te skuadra nga Kratova me ndërmjetësim të menaxherit Blerim Sadiku.