Edhe pse ende nuk ka asgjë zyrtare, Kristiano Ronaldo besohet tashmë se ka nënshkruar me kampionët e Italisë, Juventusin. Ditë më parë Luxhiano Moxhi, një ish drejtues i lartë i “bardhezinjëve”, deklaroi se Ronaldo ka kryer me sukses vizitat mjekësore në Munih dhe se shumë shpejtë pritet të zyrtarizohet te skuadra nga Torino.
“Mendoj se ai ka nënshkruar dhe ka kaluar vizitat mjekësore me Juventusin në Munih”, ka thënë Moxhi. “Kjo është ajo që mendoj pasi kam folur me njerëz të rëndësishëm”.
33-vjeçari ka realizuar 44 gola në 44 ndeshje të luajtura me Real Madrid sezonin e kaluar dhe mbetet bashkë me rivalin e tij Leo Messi, një nga yjet më të rëndësishëm të futbollit botëror.
Por duket se aventura e tij 9-vjeçare në “Bernabeu” është drejt fundit. Ai ka shënuar 450 gola në 438 ndeshje të luajtura me gjigantët spanjoll që nga koha e transferimit të tij nga Mançester Junajtedit për 90 milionë euro në vitin 2009-të.
Por cili do të jetë futbollisti që do të zëvendësojë atë te Reali, dhe nëse do e zëvendësonte vërtetë me ato shifra impresionuese?
Më poshtë janë disa nga emrat që lidhen me një transferim të mundshëm te Reali i Madridit gjatë kësaj vere.
1) Eden Hazard, ylli bel po zhvillon një Botëror shumë të mirë dhe duke parë se Çelzi këtë vit do të luajë vetëm në Liga Europa, ai mund të vendosë t’i japë fund karrierës së tij në “Stemford Brixh”.
2) Antuan Grizman ka luajtur si qendërsulmues vitet e fundit, dhe për këtë arsye francezi do të ishte një zëvendësues perfekt i Ronaldos te Reali. Nëse “mbretërit” e kontaktojnë, ai mund të detyrohet të rishikojë të ardhmen e tij tek Atletiko Madridi, edhe pse të njëjtës i shpalli dashurinë javë më parë, kur përmes një shkrimi kishte refuzuar gjigandët tjerë spanjoll, Barcelonën.
3)Nëse Real po kërkon një lojtar që mund të barazojë famën e Ronaldos, Nejmar është zgjedhja më e mirë, mirëpo sa janë të gatshëm “sheikët” e PSZH-së, për të lënë të lirë atë, kjo është paksa e vështirë për tu besuar, edhe përkundër faktit se parisienët kanë probleme me “Fair Play-in” Financiar.
4) Leroj Sane Nuk është zgjidhja më e natyrshme, por 22-vjeçari ka qenë një nga më të mirët të skuadrës kampione të Sitit sezonin e kaluar, dhe një ofertë nga kampionët e Europës në fuqi do të ishte e parezistueshme.
5) Kylian Mbape, siç theksuam më lartë edhe në rastin e Nejmar, kampionët e Francës duhet të gjejnë fonde për të shmangur sanksione të mundshme nga UEFA për shkak “Fair Play-it financiar”, ashtu që një ndër talentët më të mëdhenj të futbollit botëror që po shkëlqen edhe në Botërorin e Rusisë me fanellën e Francës, mund të dalë në shitje, ende pa e blerë të plotë kartonin e tij nga Monakoja.