Golashënuesi më i mirë i elitës vendore në futboll, Besart Ibraimi ka shënuar golin e parë me kokë në këtë sezon edhe atë në ndeshjen e fundit ndaj Bregallnicës të zhvilluar të dielën në Tetovë.
Futbollisti i Shkëndijës në këtë sezon e mban kryesimin e golashënuesve me 19 gola të realizuara, ku përveç këtij të fundit që shënoi me kokë, të gjithë 18 tjerët i ka shënuar me këmbë, duke përfshirë aty edhe supergolat nga gjuajtjet e lira.
Duket e pazakontë që Ibraimi të shënojë me kokë, kur dihet stili i tij dhe karakteristikat në të cilat spikasin goditjet nga distanca dhe gjuajtjet e lira.
Ibraimi mbetet favoriti kryesor për të fituar edhe këtë vit “Këpucën e Artë”, pasi kur kanë mbetur edhe 4 xhiro deri në fund, sulmuesi “kuqezi” lë mbrapa golashënuesit tjerë më diferencë të madhe, ku pas tij renditen Ferhan Hasani dhe Igor Nedelkoviç me nga 12 gola të shënuar secili.