Skuadra e FC Shkupit gjatë ditës së sotme pritet të rikthehet në Shkup, ku do të vijojë me përgatitjet para përballjes së parë eliminatore të Liga Europa kundër gjigandëve skocez të Gllazgou Renxhers, skuadër kjo e cila udhëhiqet nga legjenda angleze e Liverpullit, Stiven Zherard.
Brenda dy javëve, skuadra nga Çairi ka punuar në mënyrë intenzive në ngritjen e përgatitjes fizike dhe taktike të futbollistëve në Bollut të Turqisë, ku ka zhvilluar edhe disa ndeshjes kontrolluese, përmes të cilave stafi teknik me në krye trajnerin Zekirja Ramadani ka testuar kapacitetetet aktuale të çdo futbollisti, ku nuk kanë munguar edhe testet e varianteve të ndryshme taktiko- teknike.
Në bazën e Bollut gjithashtu janë testuar edhe katër futbollistë senegalezë, të cilët ishin pjesë e disa ndeshjeve miqësore, ndërsa pritet tashmë edhe vendimi final i trajnerit Ramadani, nëse ndonjëri prej tyre do i bashkohej skuadrës së FC Shkupit, që deri më tani ka angazhuar portierin Igor Aleksovskin, mbrojtësin Amir Bilalin, mesfushorin ofenziv Muarem Muarem si dhe sulmuesin e talentuar, Artan Veliu.