Futbollistët e Premierligës angleze dhe La Ligas spanjolle kanë shënuar thuajse gjysmën e golave të shënuar në fazën në grupe të Botërorit “Rusi 2018”, njofton “infOSport.mk”. Nga gjithsej 122 golat e shënuar në 48 ndeshje, 31 prej tyre i kanë shënuar futbollistët nga elita e futbollit anglez, teksa 29 gola ata nga Spanja.
Katër gola të tjerë janë shënuar nga futbollistë që vijnë nga divizionet e dyta të këtyre dy vendeve.
Premierliga ka dy top golashënues, Hari Kejn i Totenhamit me 5 gola të shënuar dhe Romelo Lukaku nga Mançester Junajtedi me 4 gola të shënuar. La Liga ka Kristiano Ronaldon me 4 gola të shënuar për Portugalinë, Diego Kostan me 3 gola për Spanjën dhe mesfushorin e Viljarealit, Denis Çerishev, i cili ka shënuar 3 gola me fanellën e Kombëtares ruse.
Futbollistët nga elita e futbollit francez (Ligue 1), kanë shënuar 9 gola, një më shumë se ata nga Bundesliga, teksa futbollistët nga “Serie A” kanë shënuar 7 gola.