Diçka historike ka ndodhur në ndeshjen e grupit “H” midis Japonisë dhe Polonisë, pasi për herë të parë në historinë e Botëroreve, kemi një Kombëtare e cila avancon për më tej falë kartonëve të verdhë.
Japonia pësoi disfatë 0:1 në ndeshjen ndaj Polonisë, për të cilën skuadër golin e vetëm e realizoi Bednarek (59’), mirëpo pavarësisht kësaj disfate japonezët vazhduan më tej, edhe pse ndodhej në të njëjtin sasi pikësh dhe golavarazhi me Senegalin.
Rregulli i ri i kartonëve të verdhë që hyri në fuqi në Botërorin e Rusisë, i ndihmoi japonezët të cilët ishin më “Fair-Play” në lojën e tyre, duke pasur dy kartonë të verdhë më pak se Senegali.
Kësisoj Japonia si e dyta në grup me 4 pikë vazhdoi për në ndeshjet e 1/8 së finales, pas Kolumbisë që falë fitores minimale 1:0 ndaj Senegalit, në fund u ndal në pozitën e parë me 6 pikë.
Golin e fitores për Kolumbinë në këtë ndeshje e realizoi mbrojtësi i Barcelonës, Jari Mina (74’).