Uruguai-Rusi, formacionet e mundshme dhe disa kuriozitete

Grupi A i Botërorit njeh sot fituesin e saj në përmjet duelit mes Uruguait dhe Rusisë, që përcakton edhe kush prej këtyre skuadrave kalon nga ana e “lehtë” e skemës për vazhdimësinë e turneut, edhe pse dy ekipet i presin sfida të vështira me Spanjë apo Portugali në turin tjetër.

Ndeshja është shumë interesante pasi vë përballë Uruguain që ka bërë detyrën deri tani, me rusët të cilët janë paraqitur mbi çdo pritshmëri në aktivitet.

URUGUAI

Dy fitore 1-0, jo pa vështirësi, i kanë siguruar Uruguait kalimin në turin tjetër por tani nga skuadra e Tabarez kërkohet edhe që të bindë me lojë, sidomos duke llogaritur emrat që ka në sulm. Deri tani Kavani ka qenë në heshtje, por duke ditur mirë egon e sulmuesit, nuk është çudi që të shpërthejë që në ndeshjen e ardhës. Problemi në këtë mes është se Uruguai nuk ka fituar asnjë ndeshje në Botëror kur Kavani ka gjetur rrjetën, ndërsa ka fituar të gjitha kur ka shënuar Suarez.

Fitorja e vetëm e Uruguait ndaj Rusisë është në një Botëror, në vitin 1970, por edhe atëherë e kishte shumë të vështirë, pasi shënoi golin e suksesit 1-0 në minutën e 117 të takimit.

Ngushëllim për ekipin nga Amerika e Jugut është fakti se ka fituar dy ndeshjet e fundit ndaj ekipeve europiane (Anglisë dhe Italisë), ndërsa nuk kishte regjistruar sukses në 15 sfidat e mëparshme ndaj tyre.

RUSIA

Vendi organizator erdhi në turne si skuadra që gjendej më poshtë në renditjen e FIFA-s dhe aktualisht duket si një nga ekipet më në formë të turneut. Fitoret 5-0 ndaj Arabisë dhe 3-1 ndaj Egjiptit kanë shërbyer për të ngritur moralin e ekipit që tani sheh me optimizëm edhe drejt turit tjetër, të cilin do ta arrijnë për herë të parë që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.

Shto këtu faktin se Rusia është ekipi që vrapon më shumë në këtë aktivitet, siç e tregojnë statistikat deri tani, dhe kupton që për ta ky Botëror mund të jetë shumë i veçantë, sidomos nëse marrin vendin e parë në grup.

Rusia ka fituar 6 nga 8 ndeshjet që ka luajtur me Uruguain, përfshirë ato të epokës sovjetike. Por në fazën finale të Botërorit, dy ekipet ndajnë nga një fitore secila. Por rusët kanë humbur të katër ndeshjet e fundit ndaj ekipeve të Amerikës së Jugut, duke shënuar vetëm 1 gol. Ngushëllim për ta është se kanë shënuar më shumë gola në dy ndeshjet e këtij edicioni, sesa në dy Botërorët e mëparshëm bashkë.

Një statistikë duhet të lumturojë skuadrën e Çerçesov: tre europianët e fundit që kanë organizuar Botërorin kanë mbyllur grupin si fitues të tij (Itali 1990, Francë 1998 dhe Gjermani 2006).

FORMACIONET E MUNDSHME

PROTAGONISTËT

Hose Gimenez pritet të mungojë në këtë duel, pasi qendërmbrojtësi është dëmtuar në sfidën e hapjes, Tabarez po mendon t’i japë hapësira edhe Lukas Torreira, për të treguar talentin e tij që nga minuta e parë.

Rusisë do t’i mungojë organizatori Xhagoev, i cili është dëmtuar në ndeshjen e parë dhe nuk do të rrezikohet para sfidave me eliminim direkt. (vipsport.al)

Leave a Reply