Teksa pritet vendimi i FIFA-s lidhur me gjestin e bërë nga ana e dyshes së futbollistëve shqiptarë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, të cilët bënë shqiponjën dy krenare me duar pas shënimit të golave ndaj Serbisë, futbollisti nga Zhegra e Gjilanit, ka rikujtuar vendimin e tij që kishte bërë që para fillimit të Kampionatit Botëror.
Në një rrëfim të gjatë për “The Players Tribune”, mesfushori shqiptar kishte folur për jetën e tij që nga fëmijëria deri në arritjen e kulmit të karrierës si futbollist i klasit ndërkombëtar.
Në një pjesë të deklaratës në platformën ku shprehen sportistët më të mëdhenj, 26-vjeçari e kishte bërë të qartë se në Rusi do të luante me këpucët në të cilat, përveç flamurit të Zvicrës, do të ketë edhe atë të vendlindjes së tij, Kosovës.
Dhe pikërisht ashtu bëri, në këpucën e tij të djathtë ai kishte vendosur flamurin e Kosovës, ndërsa në të majtën, atë të Zvicrës.
Ndërkaq, origjina e tij doli në pah sidomos në ndeshjen kundër Serbisë, në të cilën e shënoi golin e fitores dhe festoi duke e bërë simbolin e shqiponjës me duar.
Dhe tani kur FIFA ka nisur hetimet dhe ekziston mundësia që Shaqiri bashkë me Xhakën të dënohen me nga dy ndeshje (në rast të dënimit maksimal, sipas Nenit 54 të Kodit disiplinor), Xherdani ka rikujtuar një pjesë të deklaratës së tij lidhur me flamujt që do t’i përdorte në Kampionatin Botëror.
“Kur të hyj në fushë në Kampionatin Botëror 2018, do ta kem edhe flamurin e Zvicrës edhe atë të Kosovës në këpucët e mia. Jo për arsye politike apo diçka të ngjashme. Por, sepse flamujt rrëfejnë tregimin e jetës sime. Prandaj mos u shqetësoni, flamuri i Zvicrës është në këmbën time të majtë”, ka thënë Shaqiri, ndërsa postimin e ka shpërndarë në “InstaStory”.