I është dhënë lamtumira e fundit basketbollistit të Përfaqësueses së Kosovës, Gazmend Sinani.
Në varrezat e qytetit në Prishtinë të shtunën pasdite, mes lotëve të familjarëve, miqve e opinionit të gjerë, është varrosur Gazmend Sinani.
Sinani 27 vjeçar që së fundi kishte festuar ditëlindjen, ka humbur jetën në një aksident rrugor që ka ndodhur në Gjakovë në mëngjesin e hershëm të ditës së shtune.
Në po të njëjtin aksident lëndime trupore kanë pësuar edhe Granit e Fisnik Rugova, Altin Morina dhe fizioterapeuti i reprezentacionit Kujtim Shala.
Federata e Basketbollit e Kosovës përmes një telegrami ka shprehur ngushëllimet e përzemërta familjes Sinani dhe miqve të Gazmendit për këtë humbje të pakompensueshme.
Sinani karrierën në basketboll e filloi te grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.
Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone.
Në sezonin 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.
Sinani ishte anëtar i Përfaqësueses së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA.