Derisa strategu brazilian, Ze Maria po përgatit skuadrën për rikthimin në Superligën shqiptare, drejtuesit e KF Tiranës po punojnë në përforcimin e skuadrës, me qëllim që sa më të përgatitur të presin ndeshjet e tyre në mesin e më të mirëve në futbollin shqiptarë.
Pasi më parë arritën që të vazhdojnë bashkëpunimin me trajnerin Ze Maria, si dhe dy futbollistët Ngon dhe Hoxhallari, drejtuesit e klubit më të trofeshëm në Shqipëri kanë mbyllur marrëveshjen edhe me sulmuesin e Vardarit, Dejan Blazhevski.
32-vjeçari Blazhevski është një sulmues me përvojë, i cili luan në tre pozicionet e sulmit, në të dy krahët dhe në qendër. Në karrierën e tij ka luajtur edhe në Greqi dhe Azerbajxhan, ndërsa në Maqedoni përveç fanellës së Vardarit, ai ka veshur edhe fanellën e Skopjes, Horizont Turnovës dhe Pelisterit.
Sezonin e fundit me Vardarin zhvilloi gjithsej 41 ndeshje, prej të cilave 29 kampionale ku shënoi edhe 8 gola, ndërsa një gol tjetër realizoi edhe në grupet e Liga Europa. Ndryshe gjatë qëndrimit prej 3.5 viteve te Vardari, Bllazhevski në 102 ndeshje ka realizuar 37 gola.