Serbi-Zvicër është ndeshja kryesore e ditës së 9 të Botërorit të Rusisë.
Skuadra e Mladen Krstajiç, që vjen nga fitorja në ndeshjen e parë, do të kërkojë të përsërisë suksesin edhe ndaj Zvicrës për të siguruar kualifikimin, një detyrë kjo që do të jetë shumë e vështirë.
Trajneri i Serbisë, Krstajiç duket se do të bazohet te skema 4-2-3-1, me Kolarov në mbrojtje, ndërkohë që në sulm, Milinkoviç-Saviç, Ljajiç e Tadiç do të jenë në mbështetje të Mitroviç.
Ndërsa te Zvicra, Petkoviç me shumë mundësi do t’i besojë të njëjtit formacion si me Brazilin, me Lichsteiner e Rodriguez në mbrojtje, Behramin në mesfushë, e Shaqiri, Zuber e Xhemaili në repartin ofensiv, në mbështetje të Seferoviç.
Sot do të luhet edhe ndeshja e tjetër e grupit D, ajo mes Nigerisë dhe Islandës. Pas humbjes së Argjentinës ndaj Kroacisë, kjo sfidë merr vlera të mëdha, pasi një fitore e njërës apo tjetër skuadre do të rrisë edhe më shumë mundësitë e kualifikimit.
Islanda duket më e favorizuar, pasi në rast se merr 3 pikët e hipotekon kalimin për në 1/8-at e finaleve, duke qenë se ndeshjen e fundit e ka me Kroacinë, tashmë të kualifikuar.
Për këtë ndeshje, Islanda duket se do t’i besojë skemës 4-4-2, me Bjarnason e Halfredson në mesfushë, ndërkohë që sulmi do të formohet nga Gylfi Sigurdsson e Finbogasson. Te Nigeria, Moses, Obi Mikel dhe Iëobi do të mbështesin Ighalo.
Në stadiumin e Shën Pjetërburgut do të luhet ndeshja mes Brazilit dhe Kosta Rikës, për grupin E. “Seleçao” nuk shkëlqeu në sfidën e parë, por në këtë përballje do të kërkojë të tregojë një tjetër fytyrë e të regjistrojë fitoren e parë.
Ndërsa Kosta Rika do të përpiqet të bëjë diçka për të mos përsëritur humbjen e pësuar ndaj Serbisë e për të mbajtur gjallë ëndrrën për kualifikim.
Te Brazili rikthehet Neymar, i cili së bashku me Coutinhon e Willian pritet të luajnë në sulm, në mbështetje të Gabriel Jesus. Kjo sfidë ka brenda saj edhe një duel të veçantë, atë mes portierëve Keylor Navas e Allison Decker. Navas është pjesë e Realit të Madridit, që ka hedhur sytë edhe nga gardiani i portës së Romës. (TCH)