Sileksi është skuadra kampione e merkatos së verës në elitën e futbollit në Maqedoni. Skuadra nga Kratova e cila sezonin e fundit humbi garën me Rabotniçkin dhe FC Shkupin vetëm në javët e fundit për të siguruar një vend në garat europiane, gjatë ditës së sotme ka bërë zyrtarë edhe përforcimin e 7-të, që vjen nga rradhët e Pelisterit, njofton “infOSport.mk”.
Fjala është për vëllain e Bllagoja Ljamçevskit të FC Shkupit, Petar Ljamçevski, i cili në këtë mënyrë bëhet futbollisti i dytë nga rradhët e Pelisterit pas Filip Milenkovskit që i bashkohet Sileksit në këtë afat kalimtarë të verës.
Përveç tyre, skuadra nga Kratova gjithashtu ka nënshkruar edhe me dy ish sulmuesit e FC Shkupit, Emanuel Mbella dhe Dario Desniq, mbrojtësin e Lirisë së Prizrenit, Stefan Kocev, mbrojtësin e Gostivarit Hristijan Grozdanoski si dhe portierin serb, Spasoje Stefanoviç, i cili do të zëvendësojë bashkëkombasin e tij Mitroviç, i cili vendosi të largohet nga Sileksi, transmeton “infOSport.mk”.
Kur jemi tek largimet vlen të ceket se përveç portierit serb, pjesë e Sileksit në sezonin e ri nuk do të jetë edhe sulmuesi Antonio Bujçevski si dhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Angelçe Timovski.