Ferhan Hasani tashmë mund të thuhet edhe zyrtarisht se sezonin e ri futbollistik nuk do të jetë pjesë e Shkëndijës. Kapiteni i skuadrës kampione të Maqedonisë me shumë gjasa karrierën e tij do ta vazhdojë në Turqi.
Më afër nënshkrimit të Bubës është skuadra e Rizespor, edhe pse në lojë janë edhe disa skuadra tjera, poashtu nga Superliga turke, në mesin e të cilëve përmendet edhe Galatasaraji.
Ferhan Hasani pjesë e Shkëndijës ishte për tre vite të plota, duke u shndërruar në një ndër futbollistët kryesor të skuadrës “kuqezi”. Ai brenda kësaj periudhe me Shkëndijën zhvilloi 120 ndeshje, duke realizuar 63 gola.
Mbetet të shihet nëse drejtuesit e Shkëndijës do të reagojnë dhe do të sjellin ndonjë emër tjetër për repartin ofenziv, ku si përforcim i mundshëm përmendet emri i sulmuesit të Skënderbeut, Xhejms Adeni. Ky opcion shihet si më i kapshëm, duke pasur parasysh vendimin e UEFA-s për dënimin e skuadrës korçare, e cila nuk do të mund të luaj në garat europiane, ndërsa kuptohet se pjesa më e madhe e futbollistëve të tyre do të kërkojnë angazhime të reja.
Për Xhejms Adeni gjithashtu interesohet edhe FC Shkupi.