Granit Xhaka me këndimin e himnit zviceran në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Brazilit ka habitur të gjithë, ndërsa një gjest i tillë i futbollistit kosovar sipas mediave në Zvicër, është bërë në funksion të faktit se ai kërkon t’i japin shiritin e kapitenit.
Në një vend si Zvicra, për të cilën luajnë futbollistë me origjinë nga vende të ndryshme, këndimi i himnit është kthyer shpesh në çështje. Xhaka është i ndërgjegjshëm se duke kënduar himnin, ka më shumë shanse që të mbajë shiritin në të ardhmen.
Aktualisht, ai është i treti në listë pas 34-vjeçarit Lihtshtajner dhe 33-vjeçarit, Behramit, të cilët nuk kanë edhe shumë vite në përfaqësuese.
Por duke parë se si Behramit i ka ikur nga duart shiriti i kapitenit, pikërisht për faktin që nuk këndon himnin, duket se Xhaka ka vendosur t’i dalë punës para, duke mos ndjekur shembullin e shqiptarëve të tjerë në këtë përfaqësuese.
Në fakt, këtë gjë ai e kishte bërë edhe më parë, në ndeshjen miqësore ndaj Japonisë. “Po është e vërtetë, ka ardhur koha që të këndoj himnin edhe unë”, – kishte thënë asokohe Xhaka.
Për dallim nga Xhaka, tre futbollistët tjerë shqiptarë që janë pjesë e Zvicrës në Botërorin e Rusisë, Blerim Xhemaili, Valon Behrami dhe Xherdan Shaqiri, vazhduan të mos e këndojnë himnin zviceran, ndërsa më së miri vërehet edhe në videon më poshtë.