Komentatori i njohur shqiptar, Kostandin Grillo, duke folur për deklaratën e tij se e mbështetë ekipin e Serbisë në Kampionatin Botëror 2018 e që shkaktoi pa fund reagime ka thënë se koha e luftërave ka përfunduar.
“Ne nuk do të shkojmë drejt luftërave prapë, nuk do të kthejmë të kaluarën. Mendoj se duhet të gjejmë ura me të gjithë popujt e Ballkanit, jetojmë në paqe”.
“Jam edhe tifoz i Fenerbahçes dhe skuadrave ballkanase pa diskutim, jam shumë i prirur pas futbollit ballkanas dhe miqësisë”.
Ai ka thënë për Klan Kosovën se deklarata e tij nuk duhet të merret në asnjë mënyrë si “goditje” ndaj Kombëtares Shqiptare.
“Jo, absolutisht. Unë kam thënë të vërtetën edhe atëherë kur shumica nuk e kanë thënë”.
Madje, Grillo duke rikujtuar ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë (momentin kur tifozët serbë hynë në fushë dhe goditën futbollistët shqiptarë) ka thënë se futbollistët serbë e ndaluan përkeqësimin e kësaj situate.
“Nëse futbollistët serbë nuk do të mbanin atë qëndrim dinjitoz që mbajtën, aty mund të kishte rrjedhur edhe gjak”.
“Atë e ndaluan futbollistët serbë sepse Policia nuk kishte asnjë mundësi, ishte e pamundur dhe pafuqishme që t’i ndalonte ata”.
“Vetëm futbollistët serbë e kanë ndaluar atë. Këto ndodhin në fushat e futbollit, në stadiume ka urrejtje te zakonshme”.
“Kjo nuk ndodh vetëm në Serbi, ndodh edhe në vendet e tjera por kjo ndodh vetëm në fushën e futbollit”.
Ai ka treguar edhe gjithë historinë e qëndrimit të tij në Beograd gjatë kësaj kohe.
“Kam qëndruar në Beograd pesë ditë me grupin e televizionit shqiptar. Kemi ikur me dy makina nga televizioni shqiptar me tetë veta delegacion, nëpërmjet pikës doganore nga Maqedonia, Aty nuk na është bërë asnjë kontrollë, vetëm doganierët na ngacmonin se do të fitojnë 3 me 0 ose 4 me 0”.
“Kemi shkuar në Beograd, kemi qëndruar atje deri ditën e ndeshjes, jo vetëm ne por edhe shumë tifozë të tjerë që kishin ardhur. Kam parë shumë personazhe të njohura nga Shqipëria”.
“Ka pasë edhe kosovarë, nuk i ka ngacmuar asnjëri dhe nuk i ka sharë njeri, as në gjuhën serbe”.
“Në orën 18:00 kemi shkuar në hotel për tu nisur në stadium, atje kemi parë që policia dhe ushtria kishin rrethuar hotelin. Na është thënë që ju nuk do të shkoni në stadium, por do të shkoni tek hoteli i Kombëtares dhe së bashku duhet të shkoni në stadium”.
“Ne thamë se jemi delegacion i televizionit shqiptar por shefi nuk na la të shkojmë me makinat tona. Thirri dy taksi dhe i tha se këta persona do t’i dërgoni te hoteli ku ishte Kombëtarja derisa me kaçavide u ka hequr targat e përparme dhe u ka thënë se pasi të na dërgonin, do të ktheheshin t’i merrnin targat”.
“Ishin të sinjalizuar se do të ndodhte diçka. Kur shkuam te hoteli, gjetëm tension, lloj-lloj forcash ushtarake. Na kanë çuar me dy-tre autobusë në stadium”.
“Nga hoteli deri tek Stadiumi i Partizanit, rruga ka qenë e boshatisur dhe e mbushur vetëm me ushtri. Kur kemi shkuar na kanë thënë se do të rrini me ne, nuk do të lëvizni sepse është një grup shumë i rrezikshëm që ne nuk e kontrollojmë dot”.