Anëtari i përkohëshëm i përfaqësueses së Maqedonisë në futboll, Gjoko Zajkov, sot është mirëpritur nga kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu. Ky i fundit kujtoi kohën kur punuan bashkë me Zajkov, teksa futbollisti i lindur në Çair ishte pjesë e përfaqësueses “A” të Maqedonisë, pikërisht në kohën kur Ganiu luante rolin e ndihmës trajnerit.
Zajkov kryetarit të Çairit i dhuroi fanellën me numër 6-të, të Sharleroj, një dhuratë kjo e çmuar për Ganiun, i cili potencoi se kjo fanellë do ta kujtojë atë çdoherë për peshën e misionit dhe kënaqësinë që buron nga puna për ardhmëri të shëndoshë dhe të suksesshme sportive të gjeneratave të reja.
“Nuk ka krenari më të madhe kur sheh përparimin dhe arritjet e sportistëve pasi të kesh qenë pjesë e rrugës së zhvillimit profesional të tyre për një periudhë të caktuar. Sot me plot krenari mirëprita futbollistin Gjoko Zajkov banor i Çairit të cilin pata rastin ta stërvis dhe të bindem me talentin dhe pasionin e tij për futbollin gjatë periudhës kur ushtroja funksionin e ndihmës trajnerit të përfaqësueses së Maqedonisë. Ai sot po e vazhdon karrierën e tij të suksesshme sportive në klubin e futbollit Charleroi në Belgjikë. Fanella e tij me numrin 6 do të më kujtojë çdoherë peshën e misionit dhe kënaqësinë që buron nga puna për ardhmëri të shëndoshë dhe të suksesshme sportive të gjeneratave të reja” – thuhet në kumtesën e numrit një të Çairit, Visar Ganiu, i cili në të kaluarën ka punuar si trajner i FC Shkupit, por njëkohësisht edhe si ndihmës trajner në përfaqësuesen A të Maqedonisë.