Ardian Cuculi “flirt” me Partizanin

Ardian Cuculi ende nuk e ka vazhduar kontratën me Shkëndijën, ndërsa e gjithë kjo shton zërat se e ardhmja e futbollistit kërçovarë mund të jetë larg Tetovës dhe kampionëve në fuqi të vendit, njofton “infOSport.mk”.

Cuculi pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka kaluar te Shkëndija, me të cilën skuadër ka fituar dy tituj kampion, dy Kupa dhe një Superkupë, ndërsa për një kohë të shkurtë ai luajti edhe jashtë Maqedonisë, duke veshur fanellën e skuadrës së Partizanit nga Superliga shqiptare.

Te këta të fundit ai për një periudhë shumë të shkurtë u kthye në një nga më të dashurit e tifozëve, ndërkohë që gjatë këtyre viteve në çdo merkato është përfolur për rikthimin e tij. Ashtu ndodh edhe këtë merkato, ku thuhet se Partizani sërish e dëshiron Cuculin në rradhët e veta. Ai pjesë e skuadrës nga kryeqendra shqiptare ishte për një vit  të plotë (2014-2015), ndërsa shumë lehtë mund të ndodh që sërish ti bashkohet Partizanit, për të cilën skuadër kishte zhvilluar 32 ndeshje.

Cuculi luan në të majtë dhe në qendër të mbrojtjes, ndërsa në një prononcim për “Panorama Sport” që ditë më parë ai kishte pranuar se ka pasur kontakte me Partizanin, mirëpo asgjë konkrete. Në njëfarë mënyre lë gjithçka të hapur, pasi te Partizani fillimisht duhet të gjejnë trajnerin e ri, dhe sipas shijes së tij të angazhohen edhe futbollistët e rinj.

Leave a Reply