Dy lojtarë të talentuar shqiptarë, Arbër Badha dhe Betim Halimi kanë vendosur që karrierën e tyre ta vazhdojnë në futbollin estonez te skuadra e JK Narva Trans, njofton “infOSport.mk”.
Më i merituar për transferimin e kësaj dyshe ishte menaxheri shkupjan me origjinë nga Kosova, Faruk Pogragja, i cili beson te kjo dyshe, e cila kampionatin estonez dhe skuadrën e Narva e shohin si trampolinë për të bërë hapin tjetër në ndonjë skuadër më të fuqishme europiane.
Arbër Basha është vetëm 20-vjeç, ndërsa eksperiencën e tij të parë në futbollin profesionist e kishte te Vllaznia e Pozherani në Superligën e Kosovës.
Mirëpo ishte kjo një aventurë e pafat për këtë talentë, pasi Vllaznia shumë shpejt humbi statusin e skuadrës elitare, ndërsa kjo e shtyu që gjatë janarit Basha të rikthehet në Shqipëri, duke nënshkruar me Kamzën.
Hapësirat e pakta dhe mosha e tij e re bënë që ai të kërkoj një sfidë të re, që tashmë e pret në futbollin estonez, aty ku bashkë me të pjesë e saj do të jetë edhe portieri i ri kosovar, Betim Halimi. Ky i fundit së fundmi ishte pjesë e kampionëve të Kosovës, Dritës nga Gjilani, ndërsa njëkohësisht edhe pjesë e Kombëtares shpresa të Kosovës.
Që të dy pritet të jenë pjesë e Liga Europa me ekipin e Narva, që së bashku me Flora Talinin mundë të krenohen si skuadrat e vetme që nuk kanë zbritur asnjëherë nga kategoria superiore në Estoni, transmeton “infOSport.mk”.
Narva është një skuadër që në historikun e saj nuk ka fituar edhe aq shumë tituj, vetëm një Kupë dhe dy Superkupa, por gjithnjë ndodhet pranë vendeve të kreut në kampionat, njëjtë sikurse edhe tani, duke pasur parasysh se kampionati estonez është në mesin e rrugëtimit. Pas 18 xhirove Narva ndodhet në pozitën e katërt me 35 pikë, 4 më pak se skuadra e tretë në tabelën e klasifikimit, Flora Talin, skuadër kjo që ka edhe një ndeshje më pak.