Zërat për mundësinë e kalimit të Zinedine Zidane në bankinën e Francës janë shuar.
Ai që e bëri të ditur këtë është pikërisht presidenti i Federatës franceze të Futbollit, Novl Le Gravt, që deklaroi se në drejtimin e “Bluve” do të jetë Deshamp deri në vitin 2020, vit kur përfundon edhe kontrata e tij.
“Deshamp ka një kontratë me ne deri në vitin 2020. Nuk ka asnjë klauzolë negative në të. Ai do të qëndrojë”, tha Le Gravt në një intervistë për radion “RMC”.
“Pas këtij viti do të shohim se çfarë do të ndodhë me të”.
I pyetur më pas për mundësinë që ka Zidane për të marrë drejtimin e kësaj përfaqësueseje, kreu i qeverisë së futbollit transalpin theksoi se është më mirë që t’i jepet fund kësaj situate, pasi ai nuk ka komunikuar në asnjë mënyrë me ish-trajnerin e Realit të Madridit për këtë çështje.
Më pas, Le Gravt bëri të ditur objektivin e skuadrës së Francës, që është kalimi të paktën deri në gjysmëfinale, që do të ishte një rezultat më i mirë sesa ai i Botërorit 2014, kur Franca u eliminua në çerekfinale, duke bërë të ditur më pas edhe shpërblimet për futbollistët në rast të arritjes së objektivit.
Nëse Franca do të arrijë në gjysmëfinale, lojtarët e Francës do të përfitojnë 100-150 mijë euro, nëse do të kalojnë në finale ata do të përfitojnë 280 mijë euro secili.