Super yjet që do mungojnë në Botërorin “Rusi 2018”

Me zyrtarizimin e listave të skuadrave pjesëmarrëse në KB “Rusi 2018”, tashmë njihen të gjithë protagonistët e aktivitetit që do të startojë më 14 qershor. Por gjithashtu, njihen edhe emrat e atyre që nuk do të jenë protagonistë në këtë aktivitet.

Për këtë arsye, “Daily Mail” ka ndërtuar një formacion ideal me futbollistët më të spikatur të këtij edicioni apo sezoneve të fundit, të cilët do të ndjekin ndeshjet nga TV, ose maksimumi si spektatorë nga shkallët e stadiumeve në Rusi.

Në portë është Jan Oblak, portieri i Sllovenisë që ka shkëlqyer viteve të fundit te Atletiko Madridi, duke u cilësuar shpesh si një ndër më të mirët në botë.

Para tij rreshtohen Antonio Valencia nga e djathta (Ekuador dhe Mançester Junajted), Virxhil Van Dajk (Holandë dhe Liverpull), Leonardo Bonuçi (Itali dhe Milan) si dhe David Alaba (Austri dhe Bajern Munih).

Të gjithë mbrojtës që kanë lënë shenjë në këto sezone me lojën e tyre dhe padyshim në shumë prej përfaqësueseve të “Rusi 2018” do të ishin titullarë.

Edhe mesfusha është e mbushur me yje, duke filluar nga Rijad Mahrez (Algjeri dhe Lester), për të vazhduar me Marko Verati (Itali dhe PSZH), Leroi Sane (Gjermani dhe Mançester Siti) si dhe Garet Bejll (Uells dhe Real Madrid).

Këtu bie në sy prania e Sane, i cili te Gjermania nuk gjeti vend, por thuajse në çdo kombëtare tjetër do të ishte kandidat për formacionin titullar.

Në sulm ka një dyshe që garanton gola. I pari është Karim Benzema (Real Madrid), i injoruar nga Franca, ndërsa i dyti është Pier-Emerik Obamejang (Gabon dhe Arsenal), një futbollist që do t’i bënte punë shumë përfaqësueseve të cilave u mungon njeriu-gol.

Edhe lista e zëvendësuesve të përzgjedhur nga gazeta britanike ka emra të njohur: Xhianluixhi Donaruma (Itali dhe Milan), Ajmerik Laporte (Francë dhe Mançester Siti), Aleks Sandro (Brazil dhe Juventus), Raxha Naingolan (Belgjikë dhe Roma), Miralem Pjaniç (Bosnjë Hercegovinë dhe Juventus), Aleksis Sançez (Kili dhe Mançester Junajted) si dhe Mauro Ikardi (Argjentina dhe Inter). (vipsport.al)

Leave a Reply