Shabani: Kënaqësi të jesh pjesë e FC Shkupit

Bunjamin Shabani edhe zyrtarisht dy vitet e ardhshme do të vazhdojë të jetë pjesë e FC Shkupit. Futbollisti kumanovar gjatë ditës së djeshme vendosi ti thotë “PO” ofertës së re të drejtuesve “bardhekaltër” nga Çairi, të cilët kanë mbetur tepër të kënaqur nga angazhimi 17 mujor i Shabanit me fanellën e FC Shkupit, transmeton “infOSport.mk”.

I kënaqur gjithashtu është edhe vetë futbollisti, i cili në një prononcim për faqen zyrtare të klubit tha se është i lumtur që do të jetë pjesë e FC Shkupit dhe që sërish do të luaj para tifozëve të zjarrtë, siç janë “Svercerat”.

“Jam i lumtur që vazhdoj të jem pjesë e një klubi si FC Shkupi, është kënaqësi të luash para tifozerisë “Shvercerat” të cilët më kanë  përkrahur maksimalisht. Shpresoj që t’i shpërblejmë me ndeshje të mira në Evropë dhe të arrijmë objektivat e klubit në kampionat”, ka thënë Shabani.

27-vjeçari Shabani skuadrës shkupjane iu bashkua janarit e vitit 2017-të, kur erdhi nga rradhët e Renovës, ndërsa gjatë kësaj periudhe të kaluar me fanellën e FC Shkupit, ai ka zhvilluar 44 ndeshje, duke realizuar edhe 6 gola, 4 prej të cilëve i realizoi sezonin që lamë pas.

Leave a Reply