Llapi i Podujevës ka arritur marrëveshje me portierin Bledar Hajdini dhe sulmuesin e krahut të majtë, Fiton Hajdarin, të cilët vijnë nga skuadra e Trepça ’89.
Në edicionin e kaluar, Hajdini pati paraqitje tejet të mira te Trepça ‘89, duke mbajtur plotë 18 herë portën të paprekur, ndërsa gjatë edicionit 2016/17 arriti të shpallej kampion me skuadrën nga Mitrovica, që më pas të jetë edhe pjesë e ndeshjeve paraeliminatore të Ligës së Kampionëve Europian.
Ndryshe 22-vjeçari Hajdini i lindur në Gjermani më parë gjatë karrierës së tij kishte mbrojtur edhe portën e Hysit dhe Prishtinës, ndërsa gjithashtu është edhe anëtar i Përfaqësueses së Kosovës.
Sa i përket 26-vjeçarit Hajdari, ky i fundit për herë të dytë rikthehet të Llapi, pjesë e së cilës skuadër ishte edhe gjatë sezonit 2014/2015, kur klubi garonte në Ligën e Parë. Ai gjatë karrierës së tij kishte veshur edhe fanellën e Hysit, Trepçës si dhe Trepçës ’89, për të cilën skuadër kishte shënuar atë golin historik në ndeshjet paraeliminatore të Ligës së Kampionëve Europian sezonin e kaluar.