Shellonds: Ky është vetëm fillimi, pritni një Kosovë edhe më të mirë

Përfaqësuesja e Kosovës sonte në Cyrih të Zvicrës shënoi një fitore të madhe 3:0 ndaj Kombëtares së Shqipërisë, ndërsa një gjë e këtillë kishte kënaqur edhe trajnerin zviceran të Kosovës, Shellonds, i cili tha se ky është vetëm fillimi dhe se në vazhdim pritet një Kosovë edhe më e fuqishme, transmeton  “infOSport.mk”.

“Gjithmonë kur fillojmë një ndeshje, dëshirojmë të fitojmë. Prita një ekip me shumë kapacitete dhe me shumë entuziazëm dhe atë e treguan edhe në teren. Është  fitore shumë e mirë kjo 3:0, mirëpo ky është vetëm fillimi, pasi do vazhdojmë të punojmë edhe më tej. Është fakt që i kemi dhënë 3 gola, mirëpo kemi pasur edhe shumë raste të tjera dhe besoj se kemi një ekip që po shkon shumë përpara” – tha Shellonds, i cili tregoi edhe çelësin e këtij suksesi.

“Disciplina e ekipit mendoj se është çelësi, kemi bërë një lojë shumë të mirë sonte, me pasime të shpejta dhe të sakta dhe besoj se sonte kemi bërë një punë shumë të madhe” – u shpreh Shellonds.

Nën drejtimin e strategut zviceran Bernard Shellonds përfaqësuesja e Kosovës ka arritur tre fitore të njëpasnjëshme, madje duke mos pranuar asnjë gol. Para Shqipërisë, Kosova mundi Burkina Fason me rezultatin 2:0 dhe Madagaskarin me rezultatin 1:0.

Leave a Reply