Me mbylljen e sezonit futbollistik në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, shumë futbollistëve që janë pjesë e skuadrave elitare ju përfundojnë kontratat. I tillë është rasti edhe me 5 futbollistët e Renovës, të cilët mund të kërkojnë sfida të reja, apo ndoshta edhe të vazhdojnë bashkëpunimin me skuadrën nga Xhepçishti që sezonin që lamë pas dështoi, duke mos arritur që të sigurojë një vend për në garat europiane.
Bëhet fjalë për futbollistët si Xhelil Abdulla, Mexhit Neziri, Valmir Nafiu, Lavdrim Skenderi dhe Argjent Gafuri, i cili do të duhet të rikthehet te Flamurtari pas huazimit të tij 6 mujor.
Për mbrojtësin e krahut të majtë Abdulla, siç bëjnë me dije burime të afërta me “infOSport.mk”, ekzistojnë oferta edhe nga jashtë vendit, njëjtë sikurse edhe për Mexhit Nezirin, teksa sa u përket dy futbollistëve të repartit sulmues, Nafiu dhe Skenderi, ata nuk nguten dhe preferojnë që të gjitha ofertat ti rishikojnë mirë e hollë, që më pas të vendosin rreth të ardhmes së tyre.
Në rast se ndodh që gjithë këta futbollistë të braktisin rradhët e Renovës, drejtuesit e kësaj skuadre do të duhet të reagojnë shumë shpejtë në gjetjen e zëvendësuesve të tyre, duke pasur parasysh se që të gjithë ishin ndër futbollistët titullarë të skuadrës nga Xhepçishti, që sezonin 2017/2018 e mbylli në pozitën e 7-të.