Egzon Binaku nuk do të mund të debutojë me Shqipërinë. Lajmin e hidhur për mbrojtësin e dha vetë trajneri i tij te Malmö, Daniel Andersson para sfidës së sotme në kampionat.
“Egzoni ka pësuar një lëndim dhe nuk do të luajë me ne, por as me skuadrën e tij kombëtare. Është për të ardhur keq, por nuk mund të rrezikojmë” – kishte thënë Andersson.
I lindur në Åmål të Suedisë pasi prindërit e tij kishin emigruar aty nga Kosova, 22-vjeçari kishte pranuar së fundmi ftesën kuqezi dhe pritej të luante patjetër në dy ndeshjet miqësore që zhvillon Shqipëria kundër Kosovës dhe Ukrainës më 29 maj dhe 2 qershor. Vetë trajneri italian por edhe lojtari me siguri që nuk do të jenë të lumtur për shtyrjen e debutimit. Panucci kishte muaj që bisedonte me Binakun për ta bindur që të bashkohej me Shqipërinë dhe në momentin e fundit vjen ky dëmtim i pafat që nuk e lejon të zbresë në fushë.
Egzon Binaku ka lindur më 27 gusht të viti 1995 në Suedi dhe është me nënshtetësi suedeze, por me origjinë nga Kosova. Pas paraqitjeve të mira në kampionatin suedez, 22-vjeçari kaloi te Malmö FF, duke ardhur nga Häcken, ndërkohë që verën e kaluar ai luajti në Evropianin U-21 për Suedinë. Shpresojmë se ky lojtar do sjellë sigurinë e kërkuar në mbrojtjen kuqezi. (EDS)