Andres Iniesta sot edhe zyrtarisht është prezantua si futbollist i ri i skuadrës japoneze të Vissel Kobe. Mesfushorit legjendar të Barcelonës iu bë një prezantim i madh para plotë 8000 tifozëve, të cilët treguan entuziazmin e tyre për ardhjen e spanjollit te skuadra e tyre.
Spanjolli ndërkombëtar u shfaq me fanellën e purpurt të ekipit japonez dhe me numrin e tij legjendar “8” në shpinë, në një prezantim zyrtar të mbajtur në “Noevir”, stadiumin e Kobe (në Japoninë perëndimore).
Stadiumi ishte dekoruar për këtë rast me parulla që lexonin “Mirë se vini, Andres Iniesta”, shkruar në “kastilianisht”, ndërsa mijëra tifozë ishin grumbulluar për ngjarjen, që nga mëngjesi herët, për të parë nga afër idhullin e tyre të ri.
Në mesin e të pranishmëve kishte edhe tifozë me fanellat e Barcelonës, duke valëvitur flamuj spanjoll.
“Kam ardhur me entuziazëm të madh, për të punuar dhe për të mësuar, për ta ndihmuar Vissel Kobe të vazhdojë të përmirësohet, pse jo, të bëhet kampione e Japonisë” – kishin qenë fjalët e Iniestas.