Mbrëmë skuadra e Shkëndijës kurorëzoi sezonin futbollistik 2017/2018 edhe me një trofe tjetër. Pas trofeut të titullit kampion, skuadra tetovare arriti që të rrëmbejë edhe Kupën e Maqedonisë, gjë kjo që kishte kënaqur edhe vetë trajnerin Osmani, për më tepër ajo qasja e futbollistëve të tij, të cilët edhe pse e zhvilluan ndeshjen në kushte ekstremisht të rënda, në fund i’a dolën që të shënojë 3 gola në rrjetën e Pelisterit.
“Urime për gjithë ata që janë pjesë e klubit tonë për titullin e dyfishtë. Mendoj se i kemi merituar që të dy titujt. Luajtëm gjithë sezonin në mënyrë shumë bindëse, ndërsa edhe Kupën në një nivel shumë të lartë. Momenti që vendosi këtë takim ishte goli i parë, ndërsa më pas kushtet klimatike prishën gjithçka” – ishte deklarata e trajnerit Osmani pas përfundimit të ndeshjes së mbrëmshme finale kundër Pelisterit.
Tashmë Shkëndijën e presin sfidat në kuadër të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve Europian, ku skuadra tetovare fillimisht do të kishte dashur të përfundonte në mesin e atyre skuadrave bartëse, me qëllim që në rrethin e parë të has në një kundërshtarë më të dobët.
Foto: gol.mk