Sa janë gjasat që Shkëndija të jetë bartëse e listës në LK!

Shkëndija e Tetovës pasi edhe zyrtarisht u shpall kampion i Maqedonisë, kjo skuadër përveç që është në pritje të trofeut të dytë të këtij viti, atë të Kupës së Maqedonisë, gjithashtu është edhe në pritje të shortit për ndeshjet e fazës së parë eliminatore të Ligës së Kampionëve Europian, njofton “infOSport.mk”.

Megjithatë ende mbetet pezull se në cilën vazo do të vendoset Shkëndija, edhe pse ka gjasa që të jetë në listën e skuadrave bartëse. Mirëpo që të ndodh një gjë e tillë, skuadra “kuqezi” duhet të lutet që në Slloveni kampion të shpallet Olimpia e Ljublanës dhe jo Maribori, ndërsa gjithashtu edhe në Hungari të jetë Ferencfavorshi dhe jo Videotoni.

Në rast se këto dy skuadra shpallen kampion në shtetet e tyre përkatëse, atëherë Shkëndija do të ishte bartëse liste dhe në fazën e parë eliminatore do të haste në ndonjë kundërshtarë më të lehtë.

Në mesin e skuadrave që pritet të jenë bartëse, të lira janë vetëm edhe dy vende, ndërsa për të njëjtat presin Shkëndija dhe skuadra boshnjake e Zrinjski Mostar. Kjo e fundit ka koeficientin 3.750, teksa Shkëndija 3.500, për dallim nga Olimpija e Ljublanës që ka koeficientin 2.900 dhe Ferencvaroshi, skuadër kjo që ka koeficientin më të ulët nga gjithë skuadrat pretendente, vetëm 2.500.

Në të kundërtën as Zrinjski Mostar, po as Shkëndija nuk do të mund të shpresonin të jenë në mesin e skuadrave bartëse, në rast se Videotoni që ka koeficientin 4.250 shpallet kampion në Hungari, apo edhe Maribori në Slloveni, që ka koeficinetin më të lartë, 22.500.

Kur kanë mbetur vetëm edhe dy javë deri në mbyllje të sezonit 2017/2018 në Hungari, Videotoni ka tre pikë më shumë se Ferencvaroshi, teksa në Slloveni është Olimpija e Ljublanës, ajo që kryeson renditjen me 76 pikë, dy më shumë se Maribori i vendit të dytë, transmeton “infOSport.mk”.

Kësisoj Shkëndija do të lutet që Videotoni në dy javët e fundit kundër Honved dhe DVTK të mos shënojë fitore të paktën në një ndeshje, teksa Ferencvaroshi të shënojë dy fitore në përballjet ndaj DVTK, gjegjësisht Balmazujvaros Sport, si dhe që në Slloveni Olimpija e Ljublanës të ruaj pozitën e parë. Në të kundërtën, Shkëndija do të vendoset në listën e skuadrave jo bartëse.

 

Leave a Reply