Agron Rufati nuk do të luaj për Maqedoninë U19

Agron Rufati nuk do të jetë pjesë e përfaqësueses U19 të Maqedonisë për dy ndeshjet kontrolluese kundër Bullgarisë që në program janë me datë 09 dhe 11 maj këtu në Shkup.

Lajmin për portalin “infOSport.mk” e ka konfirmuar vetë futbollisti shqiptarë me origjinë nga Gostivari, i cili aktualisht është pjesë e skuadrës së Lokomotivës së Zagrebit.

Arsyeja pse Rufati nuk do ti bashkohet Maqedonisë për këto dy ndeshje, është se trajneri i tij Besnik Prenga e llogaritë atë për tre ndeshjet vendimtare të skuadrës së tyre, që për herë të parë në historikun e saj për grup moshat e reja, është shumë fare pranë titullit kampion.

Skuadra e Lokomotivës së Zagrebit U19 pjesë e së cilës është edhe Agron Rufati aktualisht mban pozitën e parë në renditje me 45 pikë, 9 më shumë se Rijeka e vendit të dytë dhe 10 më shumë se Dinamo Zagrebi që mban pozitën e tretë.

Pikërisht ndaj skuadrës së mirënjohur kroate, Lokomotiva të shtunën do të ketë testin më të vështirë, ku me fitore eventuale do të siguronte titullin kampion, pasi deri në mbyllje të edicionit të sivjetshëm, më pas mbesin vetëm edhe dy xhiro, në të cilat Lokomotiva do të përballet me Hrvatsko Dragovoljac dhe Splitin.

Rikujtojmë seleksionuesi i Maqedonisë U19, Vujadin Stanojkoviç para dy ditëve në listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet kontrolluese kundër Bullgarisë kishte ftuar edhe 18-vjeçarin Agron Rufati, për të cilin ishte kjo hera e dytë që morri një ftesë të tillë, pasi paraprakisht ai kishte qenë pjesë e U19 edhe në dy turnetë e zhvilluar në Letoni dhe Azerbajxhan.

Agron Rufati për shkak obligimeve me skuadrën e tij do të mungojë në përballjet e 9 dhe 11 majit kundër Bullgarisë në Shkup, mirëpo ai pritet të marrë sërish një ftesë tjetër nga ana e Stanojkoviç për ndeshjen e qershorit kundër Sllovakisë.

Leave a Reply