Manuel Pellegrini rikthehet në Premierligën angleze. Strategu kilian do të drejtojë kësaj rradhe ekipin e Uest Hamit, një ndër skuadrat e shumta londineze që bëjnë pjesë në kampionatin elitarë të Anglisë.
64-vjeçari është larguar nga kampionati kinez, ku për dy vite drejtonte skuadrën e Hebei China Fortune. Ai në këtë mënyrë rikthehet në Europë dhe pikërisht në Angli, aty ku për tre vite me rradhë (2013-2016) drejtoi Mançester Sitin, me të cilën skuadër në vitin 2014 arriti që të kurorëzohet me titullin e kampionit.
Te Uest Hami, ish-trajneri i Real Madridit dhe Viljarealit do të përfitojë 7 milionë euro, ndërsa do të zëvendësojë Dejvid Mojs, të cilit i përfundoi kontrata me “çekiçët”.