Golden State Uarriors ka marrë revanshin në ndeshjen e tretë gjysmëfinale të NBA-së, teksa mposhti Hjustonin me rezultatin e thellë 126:85.
Para syve të rreth 20 mijë spektatorëve në “Oracle Arena”, “uarriorsat” dominuan totalisht sfidën, veçanërisht në gjysmën e dytë të saj, ku ishin të papërmbajtshëm dhe arritën të shkëputen shumë nga kundërshtari.
Stefan Keri ishte i jashtëzakonshëm në parket, duke shënuar 35 pikë, një asist dhe 6 rikuperime, ndërsa me lojë të mirë u dallua edhe Kevin Durant, që këtë ndeshje e mbylli me 25 pikë, 6 asiste dhe 6 topa në tabelë.
Nga ana tjetër, Xhejms Harden ishte në hije këtë herë, me vetëm 20 pikë të shënuara, 9 asiste dhe 5 topa në tabelë, ndryshe nga sfida paraardhëse, ku preku shifrën e 40 pikëve.
Ndeshja e katërt gjysmëfinale mes këtyre dy skuadrave do të luhet në orën 03:00 të 23 Majit, po në “Oracle Arena”, kur Golden Stejt do të ketë mundësinë që të shënojë fitoren e tretë. Aktualisht Golden Stejt avanson me rezultatin 2:1 në serinë e fitoreve.