Xhiroja e 36-të dhe e fundit për këtë sezon në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë sjell edhe derbin ndërmjet Shkupit dhe Vardarit që do të luhet nesër në Çair. Entuziazëm dhe optimizëm te “bardhekaltërit” pasi pas plotë 14 viteve gjenden një hap afër daljes në Evropë, ndërsa iu nevojitet vetëm fitorja për ta kompletuar objektivin.
Portieri dhe njëherit kapiteni i FC Shkupit, Suat Zendeli, një ditë para derbit duket më shumë i fokusuar në fitoren ndaj rivalëve të tyre Vardarit për të mbyllur gjithçka me sukses këtë sezon fantastik.
“Jemi në fund të kampionatit, ndërsa pikërisht në ndeshjen e fundit jemi edhe shumë pranë Evropës. Kur luan me kundërshtarin e përbetuar, unë do e kisha dhënë edhe Evropën edhe titullin vetëm për ti fituar ata, por kësaj radhe besoj se do i kemi që të dyat, edhe fitoren edhe Evropën. E ftoj publikun në numër sa më të madh, pasi që vërtet do të jetë një moment emocionues, kur Shkupi pas 14 viteve ka shansin për tu rikthyer në garat evropiane. Kemi treguar se jemi një grup shumë i fortë, jemi në shtatë ndeshje pa disfatë, ndërsa shpresojmë ta mbyllim sezonin me fitoren më të ëmbël, duke e mundur Vardarin”, ka thënë kapiteni Zendeli.
Shkupi-Vardari luhet nesër në Çair duke nisur nga ora 16:15.