Valmir Nafiu po i rikthehet formës së tij të vjetër. Futbollisti i talentuar shqiptarë i cili kishte një aventurë edhe në arenën ndërkombëtare, verën e kaluar u rikthye në elitën e futbollit vendor, duke zgjedhur kësaj rradhe të luaj për Renovën, njofton “infOSport.mk”.
Ndryshe karrierën e tij Nafiu e kishte nisur te skuadra e Shkëndijës, nga e cila bëri një transferim të bujshëm te skuadra shumë herë kampione e Zvicrës, Bazeli.
Prej aty ai kaloi në rradhët e skuadrës së Hamburgut në Bundesligë, që më pas të transferohet te skuadra qipriote e APOEL Nikozia.
Te kjo skuadër futbollisti tetovarë u transferua në fillimin e vitit 2015-të, mirëpo një lëndim më i rëndë largoi atë nga fushat e futbollit për rreth 6 muaj. Pikërisht ky lëndim bëri që ai në fund të vitit 2015 të largohet nga skuadra qipriote, duke kërkuar një skuadër ku do mund të rikthente formën e vjetër.
Kësisoj ai zgjodhi ekipin kampion të Shqipërisë, Skënderbeun, te e cila skuadër u transferua me shumë bujë, mirëpo që u largua shumë shpejtë duke regjistruar vetëm një ndeshje kampionale dhe tre ndeshje në kuadër të Kupës së Shqipërisë.
E githë kjo shtyu futbollistin tetovarë që të mendoj rikthimin në vendlindje. Dhe në fakt ashtu ndodhi, pasi Nafiu vendosi të rikthehet në Tetovë, por kësaj rradhe te skuadra e Renovës, rivalit të Shkëndijës, aty ku Nafiu kishte krijuar identitet.
Fillimi edhe te kjo skuadër rezultoi të jetë i vështirë, pasi Nafiu në 10 ndeshjet e para luajti vetëm 89 minuta, duke kërkuar në vazhdimësi rikthimin e formës së vjetër.
Ashtu si ndeshjet kampionale po zhvilloheshin, gradualisht edhe forma e Nafiut kishte ngritje, për të arritur kulmin e saj në këto katër ndeshjet e fundit, ku Nafiu na rikujtoi në ditët e tij më të mira.
23-vjeçari realizoi 4 gola nga po aq ndeshje, duke bërë që Renova fuqishëm të rikthehet në garën për Liga Evropa.
Nafiu shënoi dy gola në ndeshjen e javës së 28-të kundër Bregallnicës, për të vijuar më pas edhe edhe në ndeshjet e javës së 30 dhe 31-të kur shënoi nga një gol kundër Rabotniçkit dhe Shkupit.
Në këto 4 përballje Renova arriti 3 fitore dhe një barazim, duke fituar plotë 10 pikë, që e barazuan skuadrën nga Xhepçishti me Pelisterin në pozitën e katërt.
Që të dyja skuadrat aktualisht kanë nga 45 pikë dhe deri në fund do luftojnë për atë pozitë të katërt që siguron Evropën, mirëpo gjithnjë duke aluduar se skuadra nga Manastiri do të humbiste në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë kundër Shkëndijës.
Në të kundërtën Renovës nuk do ti kryente punë as pozita e katërt, që për momentin rrotulliset në kokat e futbollistëve të Renovës, më konkretisht në kokën e Valmir Nafiut, i cili shpreson se me Renovën do të ketë mundësinë të luaj sërish në arenën ndërkombëtare, përmes së cilës do të kërkonte sërish një transferim jashtë vendit, ku besojmë tashmë edhe më i pjekur, bazuar në të kaluarën e tij.