Goran Siljanovski erdhi verën e kaluar në kampionatin shqiptar dhe veshi fanellën e Flamurtarit, ku ka qenë titullar i padiskutueshëm në krahun e djathtë të mbrojtjes. Një nga lojtarët më luftarakë që kanë ardhur në kampionatin shqiptar nga jashtë.
Futbollisti i Flamurtarit ka folur së fundit për të ardhmen dhe atë që dallon kampionatin shqiptar me atë maqedonas. Në një intervistë të gjatë për “javisejuzna.mk”, Siljanovski ka pohuar se në kampionatin shqiptar ka një infrastrukturë më të mirë dhe futbolli është më kualitativ, pasi edhe rivaliteti është më i madh:
“Momentalisht, jam pjesë e Flamurtarit, ku kam një marrëveshje deri në fund të kampionatit. Jam në një klub me kishte të shkëlqyera. Ka mjaftueshëm ndryshim me vendin tonë, ka një infrastrukturë më të mirë. Shumica e klubeve në Shqipëri kanë terrene shumë të mira dhe 70% e ekipeve kanë mundësi t’i luajnë ndeshjet në mbrëmje, sepse kanë stadiume me drita”.
“Në çdo ndeshje vijnë mesatarisht 2000-3000 tifozë në stadium, kurse në ndeshje derbi mund të vijnë edhe më shumë se 6000 tifozë, diçka që nuk ndodh tek ne. Të gjitha ndeshjet transmetohen direkt dhe janë 6 kamera në çdo ndeshje. Është diçka e mirë, sepse shihen të gjitha situatat. Janë edhe disa emisione televizive, ku diskutohet shumë për çdo ndeshje, për çdo episod dhe çdo rast të diskutueshëm. Janë dy gazeta sportive dhe disa site online, që japin lajme sportive në kohë reale.
Në Shqipëri ka më shumë kualitet tek ekipet në krahasim me Maqedoninë. Duhet gjithmonë shumë kujdes në çdo ndeshje, sepse mund të humbasësh edhe me ekipin e vendit të fundit. Ka një luftë më të fortë për titullin kampion dhe për vendet që të çojnë në Europë. Në Maqedoni gjithçka përqendrohet te 3-4 ekipe me kualitet dhe titulli dihet shumë kohë më parë se kush do ta fitojë. Në Shqipëri ka duele më të forta në lojë dhe kjo më pëlqen”.
E ardhmja? “Kam disa kontakte, por asgjë konkrete tani por tani. Po pres të përfundojë sezoni dhe të çlodhem pak. Pastaj do të vendos për të ardhmen. Nuk mund ta them tani se ku do të luaj. Dua të kaloj pak më shumë kohë me familjen time, me vajzën 6-muajshe Mila. Kam nevojë për një pushim të mirë para se të vendos ku do të luaj sezonin e ardhshëm. Nuk e përjashtoj kthimin në Maqedoni”, – ka thënë mes të tjerash Siljanovski. (Vipsport.al)