Mexhit Neziri këtë edicion pa dyshim se ishte një ndër futbollistët më të mirë në rradhët e Renovës, njofton “infOSport.mk”. Edhe pse luan në rolin e mbrojtësit, disa gol të tij kanë rezultuar deçiziv gjatë këtij edicioni për Renovën, që sot e pret një ndeshje e vështirë ndaj kampionëve të ri të vendit, Shkëndijës. Do të jetë ky një derbi i qytetit të Pollogut, ku “kuqezinjtë” futen si favorit absolut, teksa në anën tjetër Renova me një pikë të fituar që sot do të siguronte mbijetesën, gjë të cilën e kërkon edhe vetë Neziri.
“Do të jetë një ndeshje shumë e rëndë për ne, pasi të gjithë e dimë forcën e Shkëndijës. Megjithatë në futboll ka edhe surpriza, dhe pikërisht për këtë ky sport është më i dashuri në mesin e njerëzve. Neve na duhet një pikë për të siguruar mbnijetesën, ashtu që nëse japim maksimumin mund të shpresojmë në një rezultat pozitiv” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, Mexhit Neziri.
Shkëndija këtë sezon në tre përballjet kampionale ishte bindëse përballë Renovës (fitore 2:0, 6:1 dhe 5:0), ndërsa eliminoi rivalin lokal edhe në gjysmëfinale të Kupës kur ndeshja e parë u mbyll baraz 1:1 (takimi i vetëm që nuk humb Renova këtë sezon përballë kuqezinjëve), ndërsa në ndeshjen e kthimit Shkëndija fitonte 2:0.
Renova-Shkëndija luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim në orën 16:15 minuta.