Plotë 6 gola të shënuar, nga tre në secilën pjesë, tre penalti të akorduara dhe tre kartonë të kuq, dy për vendasit dhe një për mysafirët, është epilogu i takimit të sotshëm të zhvilluar në Shtip ndërmjet Bregallnicës dhe Vardarit që në fund u mbyll me barazimin 3:3, njofton “infOSport.mk”.
Fillimi i ndeshjes i takoi Vardarit, skuadër kjo e cila falë golave të shënuar nga Vellkovski (10’) dhe Bllazhevski (31’) nga pika e bardhë avansoi me dy gola ndaj vendasve të Bregallnicës, të cilët u kundërpërgjigjen në minutën e 35-të me golin e parë të shënuar nga Zdravkov nga pika e bardhë.
Po i njëjti futbollist përmes një skenari të njëjtë, nga pika e bardhë në minutën e 60-të barazoi shifrat në 2:2, ndërkohë veterani Riste Naumov solli një erupcion të vërtetë në tribunat e stadiumit pas golit të tretë të shënuar në rrjetën e Gaçevskit në minutën e 79-të.
Ky gol solli mjaft gëzim tek futbollistët vendas, të cilët shpresonin se do arrijnë tek fitorja, mirëpo atë ua mohoi Xhigauri me golin e realizuar në minutat shtesë të takimit, kur edhe vendosi rezultatin përfundimtarë të takimit, Bregallnica 3, Vardari 3.
Skuadra nga kryeqendra jonë vazhdon të mbajë vendin e parë në renditje, tashmë me 13 pikë diferencë ndaj Shkëndijës së vendit të dytë, ndërkohë për Bregallnicën 5 ndeshjet e mbetura të kampionatit do të jenë vërtetë të zjarrta, pasi në të gjitha duhet shënuar fitore dhe njëkohësisht të pres disfatat e Pobedës, për të kapur atë pozitë të 8-të që do ju siguronte “bluve” nga Shtipi që përmes balotazhit të sigurojnë mbijetesën.
Në të kundërtën, Bregallnica së bashku me Makedonija Gj.P vitin tjetër do garojnë në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë.