Sulmuesi më në formë në kampionatin elitarë shqiptarë, Sindrit Guri karrierën e tij do ta vazhdojë në Belgjikë, te skuadra e Ostendes. Ka qenë vetë klubi nga Belgjika që ka publikuar këtë informacion, sipas të cilit sulmuesi i Kukësit do të nënshkruajë kontratë 3-vjeçare.
Ai nesër pritet të udhëtojë për në Ostende, ku edhe do të ju nënshtrohet vizitave mjekësore. Sulmuesi shkodran tashmë një kohë të gjatë është ndjekur nga ana e drejtuesve të skuadrës së Ostendes, që vlerëson shumë Gurin, i cili këtë sezon në Superligën shqiptare në 32 ndeshje ka shënuar 19 gola.
“Dua të ndërtoj një karrierë të qëndrueshme dhe kampionati belg është perfekt për mua. Kishte interes edhe nga klube të tjera, por Ostende tregoi seriozitet duke më kërkuar me ngulm. Kam ardhur të tregoj vlerat e mia, dhe jam i lumtur që Ostende është klubi im i parë jashtë vendit.” – është shprehur Gurri.
Të kënaqur kanë mbetur edhe drejtuesit e klubit belg: “Është një sulmues i madh dhe i fortë, dhe me një nuhatje të mirë për golin. Jemi absolutisht shumë të lumtur që Guri zgjodhi ekipin tonë, një lojtar të cilin e donim patjetër, dhe jam i bindur se do bëjë mirë në Belgjikë.” – tha drejtori sportiv i Ostendes, Hugo Broos.
Para Sindrit Gurri ishte Kristal Abazaj i Skënderbeut që nga kampionati shqiptarë u transferua në Belgjikë, duke nënshkruar me shumë herë kampionët e Belgjikës, Anderlehtin, teksa nga Maqedonia te skuadra e Gent u transferua futbollisti i talentuar i Shkëndijës, Enis Fazllagiç.