Janë caktuar arbitrat e ndeshjeve të javës së 35-të në elitën e futbollit vendor, ndërsa bie në sy treshja e arbitrave për një ndër ndeshjet më interesante të kësaj jave, atë midis Pelisterit dhe FC Shkupit, që do të zhvillohet në Manastir, njofton “infOSport.mk”. Komisioni për delegimin e referëve ka vendosur që këtë ndeshje t’ia besoj arbitrit Aleksandar Stavrev, ndaj të cilët drejtuesit “bardhekaltër” shfryen për padrejtësitë që ky i fundit i bëri në ndeshjen ndaj Sileksit në Çair.
Edhe pse bëhet fjalë për një arbitër me shenjën e UEFA-s, ai në ndeshjen e javës së 32-të kundër Sileksit në Çair performoi larg renomesë së tij, duke hyrë në mënyrë të pakuptimtë në kurthe të panevojshme, ndërsa nëse analizohen disa ndeshje në të vërtetë referimi i tij në ndeshje të caktuara, e posaçërisht në ato që ka të bëjë me skuadrat shqiptare, është përtej skandalozes.
Pikërisht një gjëje të këtillë i druhemi edhe tani, kur për më tepër kjo ndeshje do të zhvillohet në Manastir, ku ekipi vendas i Pelisterit po lufton për mbijetesë, kjo edhe për faktin se mori një “dhuratë” nga Vardari në ndeshjen e së dielës në arenën “Filipi i Dytë”, kur në minutat shtesë shënoi golin e fitores.
Vallë çfarë skenari po përgatitet tashmë në Manastir ndaj FC Shkupit, me po të njëjtën treshe të arbitrave me në krye Stavrev, mbetet të shohim vetëm të mërkurën.
Sa u përket ndeshjeve tjera, atë midis dy skuadrave shqiptare, Renovës dhe Shkëndijës do ta drejtojë Igor Stojçevski, Faton Mustafi do të drejtojë ndeshjen në Shkup midis Vardarit dhe Akademia Pandev, Marjan Markoski nga Ohri do të jetë kryesori i takimit midis Sileksit dhe Rabotniçkit, teksa Dimitar Meçkarovski do të ndajë drejtësinë në ndeshjen midis Skopjes dhe Pobedës, skuadra këto që luftojnë për mbijetesë.