Pushimi i Ardian Nuhiut me shumë gjasa do të jetë i shkurtër. Pas ndarjes me FC Shkupin këtë pranverë, ish-futbollisti i trofeshëm për momentin është i lirë, por kjo si duket nuk do të zgjasë edhe për shumë kohë. Puna e mirë e bërë me FC Shkupin ka bërë që skuadra të ndryshme të shfaqin interes për teknikun shkupjan, Ardian Nuhiun. Burime të portalit tonë mësojnë se ekipe nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia janë të interesuara që të angazhojnë teknikun shkupjan.
Një skuadër e rëndësishme nga Super Liga e Kosovës duket e bindur për t’i besuar pankinën Ardian Nuhiut dhe pritet bisedimet të intensifikohen menjëherë pas përfundimit të sezonit aktual. Në të njejtën ‘vijë’ shkon edhe interesi nga Shqipëria, me ekipe elitare që planifikojnë ndryshime në stafin teknik për sezonin aktual dhe pikërisht emrin e Nuhiut e kanë si alternativë serioze. Ndërkohë një ekip nga Maqedonia, që kërkon të mbahet për momentin në fshehtësi gjithashtu insiston që sezonin e ri të drejtohet nga Nuhiu, që me sa duket nuk do ta ketë problem gjetjen e ekipit të rradhës në karrierën e tij si trajner, pas debutimit të suksesshëm me FC Shkupin./InfOSport.mk