Nga marsi i 2016-ës deri në majin e 2018-ës. Kaq ka zgjatur pathyeshmëria e Paris Saint-Germain në ndeshjet e kampionatit të luajtura në shtëpi.
Një ecuri që ka ardhur në fund mbrëmjen e sotme, teksa skuadra e Unai Emery është mundur 2-0 në “Parkun e Princave” dhe në rolin e princave nuk kanë qenë Mbappe me shokë, por lojtarë e Rennes, që mban vendin e pestë në renditje.
Gjithsesi ka qenë një humbje pa pasoja për vendasit, të cilët e kanë fituar prej disa javësh kampionatin francez. Gjithçka është vendosur në pjesën e dytë, kur Borigeaud ka kaluar në avantazh miqtë me penallti në minutën e 52-të.
19 minuta më vonë ka ardhur goli i dytë i Rennes, që është shënuar nga Hunou dhe që ka vendosur fatin e ndeshjes. Kjo ka qenë edhe humbja e parë për PSG në 14 ndeshjet e fundit të Ligue 1. Në javën e fundit të kampionatit, ata do të luajnë në fushën e Caen.