Enis Bardhi ndodhet në formë të shkëlqyeshme, ndërsa për këtë më së miri flasin edhe 3 golat e shënuar në tre përballjet e fundit, njofton “infOSport.mk”. Shkupjani realizoi edhe në ndeshjen e fundit kundër Leganes, në të cilën skuadra e tij shënoi fitore 0:3 në transfertë, ndërsa gjithashtu realizoi dy gola edhe në ndeshjen e 23 prillit në transfertën kundër Atletik Bilbaos.
Bashkë me Bardhin në formacion, Levante nuk dinë për disfatë në 4 ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar po aq fitore. Së fundmi Levante e Bardhit ishte mposhtur nga Atletiko Madridi, ndërsa të dielën skuadra nga Valencia do të mirëpret kampionët e ri të Spanjës, Barcelonën.
Skuadra “katalunase” është skuadra e vetme e pamposhtur në La Liga këtë stinor dhe synon ta përfundojë edicionin pa humbje, por futbollisti shqiptar i Levantes, Enis Bardhi thotë se ekipi i tij do të mundohet t’ia prishë këtë ecuri Barcelonës. “Kemi treguar se mund të fitojmë ndaj çdo ekipi dhe këtë do të mundohemi ta bëjmë edhe ndaj Barcelonës. Skuadra tani ka ndërruar mentalitetin dhe po luan me vetëbesim, që është shumë e rëndësishme në futboll. Jemi të kënaqur me trajnerin Pako Lopez, i cili po na ndihmon shumë”, – ka thënë Bardhi për kanalin televiziv të Levantes.
Bardhi është specialist i gjuajtjeve të lira dhe vetëm Lionel Messi ka realizuar më shumë gola sesa ai nga goditjet e lira në La Liga këtë sezon. Mbetet të shihet se cili prej tyre do të ketë mundësinë edhe të dielën të bëjë një gjë të tillë.