Gonzalo Higuain mund të largohet nga Juventusi. Të paktën e tillë parashikohet të jetë kjo merkato verore, me klubin torinez që do të pësojë ndryshime, që nuk do të lënë pa prekur të gjitha repartet. Për më tepër kjo verë mund të shënojë edhe lamtumirën e trajnerit Massimiliano Allegri.
Gjithsesi, kjo është një çështje për të cilën aktualisht ka vetëm spekulime, projekte dhe diskutime. Me pak fjalë Juvja projekton të ardhmen e afërt, në pritje të konfirmimit matematikor që i sheh kampionë të Serisë A për të 7-in vit rradhazi. Tashmë thjesht një formalitet, pasi trofeu është nisur për në palmarrësin e këtij klubi.
Pas suksesit vijojnë përgjegjësitë me Andrea Anjellin, Bepe Marotan dhe Fabio Paraticin, që kanë një mision aspak të lehtë mbi shpatulla, bëhet fjalë për vendimin se cili do të jetë i sarifikuari, mes Dybalas dhe Higuain?
Dybala është më i ri dhe në fanellë mban numrin 10, por ka ceduar në vazhdimësi. Sidoqoftë ai nuk do të largohej kurrë nga Juventusi për një shifër më të ulët se sa 120-140 milionë euro, përcjell “SS”.
Dhe pikërisht për këtë vlerësim të lartë që i është bërë kartonit të sulmuesit argjentinas duket se për momentin Dybala nuk do të hyjë në ankand.
Atletiko Madridi e ka kontatuar nga afër, Bajerni i Mynihut nuk shon më shumë se sa oferta e 100 milionëve për të, ndërkohë që Barcelona, Reali i Madridit por edhe nga Premierliga nuk kanë bërë asnjë lëvizje konkrete në drejtim të tij. Në këto kushte lind natyrshëm ideja se i sakrifikuari do të jetë Higuain.
Në verën e vitit 2016-të “El Pipita” u ble nga Napoli duke paguar klauzolën largimit për të prej 90 milionë eurosh, ndërkohë që sot ai vlerësohet me rreth 50 milionë euro. Sulmuesi argjentinas që sfidon moshën duke mbetur i rrezikshëm në fushë edhe pse ka festuar 30-vjetorin e lindjes mund t’i japë kështu lamtumirën Italisë pas aventurës së tij 5-vjeçare. Pyetja që lind është se cili mund të jetë destinacioni i mundshëm për të.
Përgjigja me e lehtë do të ishte ajo e PSZH-së, por duket se kjo verë do ta shohë klubin e sheikut Al Khelaifi më një merkato të bllokuar si pasojë e sanksioneve që UEFA pritet të ndërrmarë ndaj tyre për shkelje të rregullave të “fair-play-it financiar”.
Një tjetër opsion është ai i Premierligës, ku spekulohet se lidhet edhe e ardhmja e trajnerit Allegri. Historia e Juventuist na ka vërtetuar se i sakrifikuari mund të jetë kushdo, për të mirën e përgjithshme klubi është i gatshëm të shohë këdo në sy e ti thotë lamtumirë. Më pas vazhdimi i ngjarjeve është i njohur, Juventusi vijon me investime, blerje dhe në fund suksese dhe trofe.