Massimiliano Allegri nuk kënaqet vetëm me titullin e 7-të radhazi në Serinë A pasi do edhe Kupën e Italisë me Juventusin e tij. Nëse triumfon në Olimpico të Romës ndaj Milanit, tekniku livornez do të bëhej trajneri i parë në 5 ligat kryesore të Europës që fiton kampionatin dhe Kupën për 4 sezone radhazi, një rekord absolut ky. Me kampionatin në xhep(vetëm matematika nuk e lejon të festojë) ajo e kësaj të mërkure ndaj Milanit është ndeshja më e rëndësishme nga ato që i kanë mbetur në këtë sezon Juves dhe bardhezinjtë do të japin gjithçka për të fituar.
“Duhet ta luajmë me shumë entuziasëm këtë ndeshje sepse në dy sfidat e fundit kemi hasur vështirësi. Përballë do të kemi një skuadër shumë të fortë. Gattuso është një i apasionuar pas futbollit dhe një njeri shumë kokëfortë. Nuk është e lehtë të ulesh në stolin e Milanit pas eksperiencave të ndryshme. Megjithatë Milani që nga momenti që drejtimin e ka marrë Rino, ka arritur rezultate të rëndësishme. Gatusso është treguar shumë i zoti”.
Allegri foli edhe për të ardhmen e tij duke lënë gjithçka të hapur edhe pse drejtori i përgjithshëm i Juventusit Beppe Marotta e konfirmoi në stol pak ditë më parë.
“Në fund të sezonit bashkë me drejtuesit do të ulem në një tryezë dhe do të programojmë të ardhmen. Për momentin duhet të çojmë në shtëpi dy trofetë kampionatin dhe Kupën e Italisë”.